rreth nesh

Historia e Orkestres Filharmonike Mbareshqiptare (OFMSH)
Albanian Philharmonic Orchestra



Orkestra Filharmonike Mbarëshqiptare është formacioni më i ri artistik në trevat shqiptare të Ballkanit Perëndimor.  Ajo u krijua nga një grup muzikantësh dhe artistësh të nderuar nga Shqipëria, Kosova dhe ish RFJ e Maqedonisë si një rezultat i natyrshëm i bashkimit artistik brënda kombit shqiptar në Ballkan.  Përsiatjet e para të idesë për krijimin e Orkestrës Filharmonike Mbarëshqiptare datojnë diku në fillim të viteteve 90, kur në mënyre sporadike, qoftë nëpërmjet institucioneve zyrtare, apo edhe thjesht në bazë të projekteve të ndryshme private, muzikantë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe ish RFJ e Maqedonisë kanë qënë pjesë e organizimeve të ndryshme orkestrale të përbashkëta.  Fundi i vitit 2010 ishte pika kulmore e këtyre bashkëpunimeve muzikore brënda trungut kombëtar shqiptar, bashkëpunime të cilat cuan në formimin zyrtar artistik të Orkestrës Filharmonike Mbarëshqiptare në Gjermani, në një koncert humanitar për fëmijët në nevojë të organizuar nga shoqata humanitare „Nënë Tereza“ me seli në Mynih.

imgimg

 

 

 

 


Ky koncert i parë i Orkestrës Filharmonike Mbarëshqiptare u mbajt në Cuvilliès Theater / Residenzschloß ne Mynih më 20 nëntor 2010.  Pjesë e Orkestrës Filharmonike Mbarëshqiptare nën drejtimin e dirigjentit Desar Sulejmani ishin muzikantë të nderuar nga Shqiperia, Kosova, ish RFJ e Maqedonisë si dhe nga Gjermania.  Solistët e këtij koncerti si sopranoja e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho, baritoni gjerman James Tolksdorf, sopranot Shirli Polena dhe Krenare Gashi si dhe tenori Ramë Lahaj i dhanë këtij koncerti shkëlqimin maksimal artistin në publik.

 

Orkestra Filharmonike Mbarëshqiptare synon të bëhet pjesë e pandarë e jetës artistike shqiptare në Ballkan dhe më tutje në Evrope e Amerikë.  Si një formacion artistik që do të bashkojë prurjet më të mira instrumentale dhe artistike shqiptare, kjo orkestër do të jetë në rradhë të parë një platformë muzikore profesionale për instrumentistët, kompozitorët dhe dirigjentët shqiptarë, duke përfaqësuar në këtë mënyrë denjësisht mbarë kombin shqiptar, kudo që kjo orkestër do të ketë aktivitetin e saj koncertal.

Motoja artistike e Orkestrës Filharmonike Mbarëshqiptare “Për një kulturë, një gjuhë, një shpirt dhe një identitet të ri kombëtar shqiptar” do të jetë rruga jonë e përbashkët.

Orkestra Filharmonike Mbarëshqiptare ka qendrën e saj organizative në Tiranë dhe filiale përfaqësimi në Prishtinë dhe Shkup.  Aktiviteti i saj artistik do të shtrihet në të gjitha trevat shqipfolëse në Ballkan, sikurse edhe në Evropë dhe mbarë boten.

Kush jemi ne ?

Ne jemi instrumentistë, artistë, kompozitorë dhe dirigjentë shqiptarë nga trojet shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë, që na bashkon qëllimi i përbashkët i të qenurit NJE në muzikë, art, kulturë, gjuhë dhe identitet kombëtar.

Cfare bejme ne ?

Ne sjellim së bashku, si pjesë e Orkestrës Filharmonike Mbarëshqiptare, idetë dhe krijimet më të mira muzikore shqiptare së bashku me ato botërore.

Ne duam të jemi një nga përfaqësuesit më të fuqishëm të kulturës së përbashkët shqiptare në botë dhe nëpërmjet koncerteve, takimeve dhe shfaqjeve tona të përbashkëta artistike të fuqizojme më tej bashkimin shpirtëror të të gjithë shqiptarëve kudo që ato ndodhen.