rreth nesh

Dirigjenti i pare dhe Drejtori Artistik i Orkestres Filharmonike Mbareshqiptare
Albanian Philharmonic Orchestra

DESAR SULEJMANI
Biografia

Pianisti dhe dirigjenti me origjinë nga Shkodra dhe me banim në Gjermani, Desar Sulejmani, ka studiuar nga viti 1998 deri në vitin 2008 në universitetin e njohur të arteve „Folkwang Universität der Künste“ në Essen për piano me Prof. Till Engel, për muzikë dhome me Prof. Andreas Reiner dhe për dirigjim me Prof. David de Villiers.  Ai ka studiuar gjithashtu si pianist me Prof. Peter Feuchtwanger (London), Charles Spencer (Wien), Axel Bauni (Berlin), dhe per muzike dhome tek Jürgen Kußmaul (Düsseldorf) dhe Emile Cantor (Aarhus/Danimarkë).

Para fillimit të studimeve në Gjermani, Desar Sulejmani ka qenë në Shqipëri nxënës i Fatmira Pelushit (Shkolla Kombëtare Artistike „Preng Jakova“, Shkodër), Nadjezhda Porodinit (Shkolla Kombëtare Artistike „Jordan Misja“, Tiranë), Prof. Anita Tartari, Prof. Nora Cashku, Rudina Ciko (Akademia e Arteve në Tiranë)

Desar Sulejmani është fitues i shumë cmimeve të pianos në konkurse kombëtare dhe ndërkombetare.  Si solist i orkestrës „Virtuozët e rinj të Tiranes“ ai ka dhënë koncerte të ndryshme nga viti 1995 deri ne 1997 në France, Belgjikë, Hungari dhe Itali.

Që nga viti 2000 Desar Sulejmani koncerton si pianist dhe nga viti 2003 si dirigjent në Gjermani, Austri, Itali, Hollandë, Shqipëri, Kosovë, Uzbekistan, Afrikë e Jugut, Finlandë, Rumani, Poloni etj.  Ai ka qenë nga vitet 2004 - 2008 si dirigjent i Orkestrës Rinore Filharmonike të qytetit Neuwied, Gjermani.  Duke filluar nga viti 2006 ai mban gjithashtu edhe postin e dirigjentit të orkestrës sinfonike Heinrich Heine Symphoniker në Düsseldorf.  Përgjatë viteve të studimit Desar Sulejmani ka dirigjuar orkestra të ndryshme sinfonike profesioniste në Gjermani si Bochumer Symphoniker, Bergische Symphoniker Solingen apo Neue Westfälische Philharmonie në Recklinghausen.  Nga viti 2007 Desar Sulejmani ka një jetë të rregullt artistike si dirigjent edhe në Shqiperi e Kosovë, ku ka dirigjuar ndër te tjera Orkestrën Sinfonike të RTSH, orkestrën „New Philharmonic“, Orkestrën e Harqeve të Akademise së Arteve në Tirane si dhe Orkestrën Sinfonike të Filharmonisë së Kosovës në Prishtinë.  Në dhjetor të 2010 Desar Sulejmani debuton suksesshëm si dirigjent me Orkestrën Sinfonike Kombëtare të Uzbekistanit në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent.

Desar Sulejmani ka punuar në partneritet muzikor si pianist apo dirigjent me artistë të huaj si Prof. Andreas Reiner, Prof. Frank Lloyd, Prof. Helge Slaato, Frank Reinecke, Caroline Merz, Inga Britt Andersson, Prof. David der Villiers , Caroline Stein, Fionnualla McCarthy, Sascha Dücker, gjithashtu edhe me artistë shqiptarë si Prof. Isak Shehu, Prof. Suzana Frasheri, Ermonela Jaho, Ass. Prof. Blerim Grubi, Pjeter Guralumi, Fatos Jaho, Arian Paco, etj.

Që nga sezoni artistik 2009-2010 Desar Sulejmani është pjesë e trupës artistike të Teatrit të Operas dhe Baletit në Gelsenkirchen, Gjermani.  Ai u zgodh gjithashtu në tetor te 2010 ndër 100 dirigjentë nga e gjithe bota si pjesmarrës në Akademinë e Parë Ndërkombetare të Dirigjenteve, e cila u zhvillua në kuadër të organizimeve kulturore përgjate vitit të kulturës europiane „Ruhr2010“.  Në kuadër të kësaj akademie ai puoi me dirigjentët e njohur Sir Roger Norrington, Sylvain Cambreling, Steven Sloane, me këngëtarë të ndryshëm nga teatrot e operave më të njohura në Gjermani si dhe me orkestren Bochumer Symphoniker.

Aktivitetet e tij të shumta artistike në Shqipëri, Gjermani dhe Kosovë janë regjistruar nga radio dhe televizionet gjermane dhe ato shqiptare.

Në prill 2011 Desar Sulejmani krijon së bashku me muzikantë dhe artistë nga Shqiperia, Kosova dhe ish RFJ e Maqedonisë “Orkestrën Filharmonike Mbarëshqiptare”, institucionin më të ri kulturor mbarëkombëtar shqiptar.

conductor@albanian-philharmonic-orchestra.org