rreth nesh

Bordi Ekzekutiv Artistik i Orkestres Filharmonike Mbareshqiptare
Albanian Philharmonic Orchestra

DESAR SULEJMANI
Pianist, Dirigjent, Drejtor Ekzekutiv

Biografia
Pianisti dhe dirigjenti me origjinë nga Shkodra dhe me banim në Gjermani, Desar Sulejmani, ka studiuar nga viti 1998 deri në vitin 2008 në universitetin e njohur të arteve „Folkwang Universität der Künste“ në Essen për piano me Prof. Till Engel, për muzikë dhome me Prof. Andreas Reiner dhe për dirigjim me Prof. David de Villiers.  Ai ka studiuar gjithashtu si pianist me Prof. Peter Feuchtwanger (London), Charles Spencer (Wien), Axel Bauni (Berlin), dhe per muzike dhome tek Jürgen Kußmaul (Düsseldorf) dhe Emile Cantor (Aarhus/Danimarkë).

Para fillimit të studimeve në Gjermani, D. Sulejmani ka qenë në Shqipëri nxënës i Fatmira Pelushit (Shkolla Kombëtare Artistike „Preng Jakova“, Shkodër), Nadjezhda Porodinit (Shkolla Kombëtare Artistike „Jordan Misja“, Tiranë), Prof. Anita Tartari, Prof. Nora Cashku, Rudina Ciko (Akademia e Arteve në Tiranë)

D. Sulejmani është fitues i shumë cmimeve të pianos në konkurse kombëtare dhe ndërkombetare.  Si solist i orkestrës „Virtuozët e rinj të Tiranes“ ai ka dhënë koncerte të ndryshme nga viti 1995 deri ne 1997 në France, Belgjikë, Hungari dhe Itali.

Që nga viti 2000 Desar Sulejmani koncerton si pianist dhe nga viti 2003 si dirigjent në Gjermani, Austri, Itali, Hollandë, Shqipëri, Kosovë, Uzbekistan, Afrikë e Jugut, Finlandë, Rumani, Poloni etj.  Ai ka qenë nga vitet 2004 - 2008 si dirigjent i Orkestrës Rinore Filharmonike të qytetit Neuwied, Gjermani.  Duke filluar nga viti 2006 ai mban gjithashtu edhe postin e dirigjentit të orkestrës sinfonike Heinrich Heine Symphoniker në Düsseldorf.  Përgjatë viteve të studimit Desar Sulejmani ka dirigjuar orkestra të ndryshme sinfonike profesioniste në Gjermani si Bochumer Symphoniker, Bergische Symphoniker Solingen apo Neue Westfälische Philharmonie në Recklinghausen.  Nga viti 2007 D. Sulejmani ka një jetë të rregullt artistike si dirigjent edhe në Shqiperi e Kosovë, ku ka dirigjuar ndër te tjera Orkestrën Sinfonike të RTSH, orkestrën „New Philharmonic“, Orkestrën e Harqeve të Akademise së Arteve në Tirane si dhe Orkestrën Sinfonike të Filharmonisë së Kosovës në Prishtinë.  Në dhjetor të 2010 D. Sulejmani debuton suksesshëm si dirigjent me Orkestrën Sinfonike Kombëtare të Uzbekistanit në kryeqytetin e Uzbekistanit, Tashkent.

D. Sulejmani ka punuar në partneritet muzikor si pianist apo dirigjent me artistë të huaj si Prof. Andreas Reiner, Prof. Frank Lloyd, Prof. Helge Slaato, Frank Reinecke, Caroline Merz, Inga Britt Andersson, Prof. David der Villiers , Caroline Stein, Fionnualla McCarthy, Sascha Dücker, gjithashtu edhe me artistë shqiptarë si Prof. Isak Shehu, Prof. Suzana Frasheri, Ermonela Jaho, Ass. Prof. Blerim Grubi, Pjeter Guralumi, Fatos Jaho, Arian Paco, etj.

Që nga sezoni artistik 2009-2010 D. Sulejmani është pjesë e trupës artistike të Teatrit të Operas dhe Baletit në Gelsenkirchen, Gjermani.  Ai u zgodh gjithashtu në tetor te 2010 ndër 100 dirigjentë nga e gjithe bota si pjesmarrës në Akademinë e Parë Ndërkombetare të Dirigjenteve, e cila u zhvillua në kuadër të organizimeve kulturore përgjate vitit të kulturës europiane „Ruhr2010“.  Në kuadër të kësaj akademie ai puoi me dirigjentët e njohur Sir Roger Norrington, Sylvain Cambreling, Steven Sloane, me këngëtarë të ndryshëm nga teatrot e operave më të njohura në Gjermani si dhe me orkestrën Bochumer Symphoniker.

Aktivitetet e tij të shumta artistike në Shqipëri, Gjermani dhe Kosovë janë regjistruar nga radio dhe televizionet gjermane dhe ato shqiptare.

Në prill 2011 Desar Sulejmani krijon së bashku me muzikantë dhe artistë nga Shqiperia, Kosova dhe ish RFJ e Maqedonisë “Orkestrën Filharmonike Mbarëshqiptare”, institucionin më të ri kulturor mbarëkombëtar shqiptar.

desar.sulejmani@albanian-philharmonic-orchestra.net


Prof. Dr. ISAK SHEHU
Trompist, Kompozitor, Nënkryetar

Biografia
Trompisti i njohur shqiptar, Isak Shehu u lind në Peshkopi në vitin 1956.  Në qytetin e lindjes ai mbaron edhe shkollën e mesme, gjatë viteve të së ciles ai angazhohet edhe si trompist.

Në vitin 1976 I. Shehu fillon studimet në Insitutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) në degën e trompës dhe kompozicionit, studime të cilat i mbaron me rezultate të shkëlqyera në vitin 1981.  Gjatë viteve të studimit të lartë ai angazhohet në shumë aktivitete kulturore dhe artistike të asaj kohe, ku edhe vlerësohet me cmime të ndryshme.  Këtu mund të përmendet ndër të tjera Dekada e Majit 1980, ku i akordohet cmimi i parë si instrumentist dhe cmimi i tretë si kompozitor.

Në shtator te viti 1981 I. Shehu emërohet asistent pedagog për lëndët “Trompë speciale”, “Muzikë dhome” e “Harmoni” pranë katedrës së Instrumentistëve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, (sot Universiteti i Arteve), në degën e Muzikës.  Periudha 1981-1990 përkon me kualifikimin pasuniversitar, ku Isak Shehu kryen të gjitha provimet e formimit intelektual dhe artistik.

Në periudhën nëntor 1985 - korrik 1987 I. Shehu zhvillon një specializim pasuniversitar në Konservatorin “Santa Cecilia” në Romë në lëndët e solistikës trompistike dhe të pedagogjisë për instrumentet e frymës në klasën e Prof. Carlo Uva.  Gjatë gjithë kësaj periudhe ai aktivizohet si trompist solist, trompë e parë e orkestrës dhe trompë e parë e kuintetit “Euphonos” të kursit pasuniversitar.

Në vitin 1987 me iniciativën personale të I. Shehut krijohet në Akademinë e Arteve kuinteti i parë i tunxhit, kuintet i cili ka patur një jetë të pasur dhe të suksesshme artistike me regjistrime të shumta televizive si dhe koncerte në mbarë Shqiperinë.

I. Shehu ka një përvojë të gjatë në fushën pedagogjike, e cila mund të shikohet në punën për futjen e metodave bashkëkohore të interpretimit në trombe, duke i lidhur ato ngushtë me traditën ekzistuese.  Këtij qëllimi i kanë shërbyer edhe botimet e dy përmbledhjeve didaktike për trombë, i tekstit teorik “Loja në trompë” dhe “10 Etyde karakteristike për trompën”, të përgatitura gjatë punës pedagogjike të I. Shehut.

Jeta artistike koncertale e I. Shehut përmban një numër prej mëse 300 koncertesh brënda dhe jashtë Shqipërisë, në të cilat ai ka lëvruar pjesën më të madhe të repertorit ekzistues të trompës dhe muzikës së dhomës frymore nga autorë vendas e të huaj që nga Baroku e deri te Muzika Bashkëkohore.

Në fushën e krijimtarisë I. Shehu ka në repertorin e tij si kompoitor vepra të spikatura si psh. Sinfonia “Ilirët” (1981), Suita sinfonike (1982), Koncerti për Trompë Nr.1 (1981), Koncertino për Oboe (1983), Sonatë për Trompë (1984), Suitë për Kuintet Tunxhi (1984) etj. Këto vepra janë bërë pjesë e pandashme e repertorit instrumental të trompisteve shqiptarë.

Isak Shehu ka dhënë nje kontribut të cmuar në organet e ndryshme drejtuese të Universitetit të Arteve në Tiranë ku së fundmi ka mbajtur edhe pozicionin e zv. Rektorit.

isak.shehu@albanian-philharmonic-orchestra.net


BAKI JASHARI
Kompozitor, Dirigjent, Nënkryetar

Biografia
Baki Jashari u lind në ne vitin 1960 ne Prishtinë, ku edhe kreu Shkollën e Mesme të Muzikës.  Studimet e Kompozimit i kreu ne vitin 1984 në Akademinë e Muzikës në Lubjanë, më pas në vitin 1985 kryen edhe degën Muzikologjisë.

Gjatë studimeve ne Ljubjane B. Jashari angazhohet edhe si dirigjent i disa koreve sllovene, me të cilët ai arriti suksese te dallueshme jo vetëm në Slloveni, por edhe në Itali, Austri dhe Gjermani.  Përgjate viteve 1987-1990 ai drejton Korin Profesional të Radio Televizionit të Prishtinës, me të cilin ai koncerton në keto festivale: “Skena Muzikore e Prishtinës”, “Ditët e Muzikës Kosovare” dhe “Tribunën e Krijimtarisë Muzikore” të ish Jugosllavisë në Opati të Kroacisë.  Në këtë kohë ai rregistron me këtë kor një numër të konsiderueshem të veprave të autorëve shqiptarë dhe atyre botërorë.

Në vitet 1990-2000 B. Jashari jeton dhe punon në Lubjanë të Sllovenisë si pedagog i lëndëve teorike dhe dirigjent i Orkestrës Harkore të Shkollës së Muzikës, me të cilën ai koncerton në Trieste, Vjenë, Barcelonë, Cleveland, Chicago etj.  Ndërkaq ai dirigjon edhe dy orkestra frymore, me të cilat ai merr pjesë në konkurse shtetërore sllovene dhe ndërkombëtare.  Në konkursin e orkestrave frymore në Vezsprem të Hungarisë ai fiton si dirigjent vendin e pare (1998).  Me Orkestrën Harkore të Shkollës së Muzikës dhe Orkestrën Frymore Baki Jashri realizon gjatë kësaj dekade tre CD me vepra të autorëve sllovenë dhe botërorë (1998-1999).

Nga viti 2000 B. Jashari jep lëndët Harmoni dhe Analizë Harmonike në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.  Gjatë vitit 2002 B. Jashari dirigjon disa koncerte me Orkestrën Sinfonike të Filharmonisë së Kosovës me solistët Pavel Vernikov, violinë, Florian Stubel, klarinetë dhe Kevin Kenner, piano.

Krijimtaria kompozicionale e B. Jasharit përfshin disa vepra korale, vokalo-instrumentale, orkestrale dhe sinfonike.  Këtu mund të veçohen Passacaglia për orkestër harqesh, “Pakëz në ëndërr-pakez ne zhgjanderr” për kor dhe recitues, “Lutje” për soprano dhe piano, Simfonietta in due tempi për orkestër sifonike etj.

Që nga viti 2007 Baki Jashari është drejtor i Filharmonisë së Kosovës.

baki.jashari@albanian-philharmonic-orchestra.net


As. Prof. BLERIM GRUBI
Violist, Nënkryetar

Biografia
Blerim Grubi është violist shqiptar.  Ai lindi në qytetin e Shkupit në vitin 1965, qytet në të cilin fillon edhe studimet për violë në shkollën e ulët dhe të mesme të muzikës në QSHMB “Ilija Nikollovski Lluj” në klasën e Prof. P. Nikollov dhe B. Bratoev.  Studimet e larta për violë dhe diplomën i kryen pranë Fakultetit të Artit Muzikor në Shkup në klasën e Prof. L. Gospodinov në vitin 1989.

Pranë të njëjtit fakultet kryen edhe studimet pasuniversitare për violë, në vitin 1999.  Në vitin 1995 ai merr pjesë në Master kursin e Akademisë Chigana në Sienna të Italisë, në klasën e J. Bashmet.

Pas mbarimit të studimeve dhe fillimit të punës si violist pranë Filarmonisë së RFJ të Maqedonisë, B. Grubi zhvillon një veprimtari shumë të ngjeshur koncertore jo vetem si solist, por edhe në përbërje të formacioneve të ndryshme të muzikës së dhomës duke marë pjesë në aktivitete të rëndësishme të jetës muzikore jo vetëm të ish RFJ te Maqedonisë (Ditët e Muzikës Maqedonase – 1988, 1989, 1990 dhe 2003, recitalet në Festivalet në FAM në Shkup, 1989 përfaqesues i Maqedonisë në takimet e Harkorëve të rinj të talentuar të ish RSFJ në Osijek në manifestimin "Franjo Krezhman", 1989 koncerti i UNICEF në Shkup; 1991 solist me Filharmoninë e ish RFJ të Maqedonisë, 1994; Festivali i Ohrit, 1989 Festivali i Shkupit, 1989 Festivali “Java e Bahut”), por edhe më tej, në Kosovë (Ditët e muzikës kamertale 1999 - 2006), në ish Jugosllavi (Takimet e Akademive të muzikës në Prishtinë 1990, në Lubjanë 1988-1989 e Sarajevë 1991) në Tiranë (Orkestra Sinfonike të RTSH me dirigjent E. Krantja 1994 Koncert solistik Spanjë (“Vivendi” 2000), Slloveni (Festivali Muzina, LubjanëVivendi “2000), etj.

Ndërkaq pas përfundimit të konfliktit në Kosovë B. Grubi ka marrë pjesë aktive në rizgjimin e jetës kulturore të Kosovës duke themeluar “Ansamblin Vivendi” me të cilin ka dhënë shumë koncerte në Kosovë e jashtë saj.  B. Grubi është gjithashtu anëtar i Trios Harkor Kosova, njëri prej themeluesve të Filarmonisë së Kosovës dhe anëtar i bordit të “Fondacionit ArsKosova” që merret me promovimin e talenteve të rinj dhe zhvillimin e aktiviteteve muzikore në vend.  B. Grubi është themelues dhe anëtar i Bordit të Festivalit Ndërkombetar të Muzikës Kamertale në Prishtinë, themelues i Shoqatës së Artistëve të Muzikës dhe Baletit Shqiptar në ish RFJ të Maqedonisë dhe themelues i Festivalit “Multi Kulti” në Shkup.  Gjithashtu ai është edhe themelues i fondacionit shqiptar për bursa në Maqedoni dhe njëri ndër iniciatorët dhe themeluesit e shkollës së mesme të muzikës në Tetovë.

B. Grubi ka realizuar shumë koncerte si solist me Filarmoninë e ish RFJ të Maqedonisë dhe të Kosovës, Orkestrën e TKOB në Tiranë dhe Orkestrën e Dhomës, orkestrën Ballkanike nën drejtimin e dirigjentëve të shquar E. Krantja, A. Shurev, O. Balaburski, A. Lekaj, R. Tiseo, S. Nikollovski, L. Fi Fi, B. Llapaj, J. Barballushi, B. Canev, Pol Vajgold, D. Sulejmani, T. Jaganisava si dhe C. Van Alphen dhe në ansamble dhome me muzikantë si me P. Vernikov, K. Kenner, E. Fisher, D. Han, D. Mastroyiannis, S. Wirth, B. Previshich, M. Barley, F. De Zan, A. Cesaraccio, P. Camicia, S. Badivuku, A. Prosi, P. Guralumi, A. Paco, A. Llozi, R. Xhoxhi, A. Selita, D. Dikova, M. Vrshkova, M. Kastratovic, L. Pula,L. Elezi, Z. Badivuku, V. Beqiri, A. Gashi, V. Kajtazi, Xh. Sahatqiu, F. Gashi.

B. Grubi ka qenë ndër të tjera anëtar jurije i “Garave Ndërkombëtare të Muzikës Klasike-Prishtinë” (2003-2006) dhe konkursit ndërkombëtar “Musicians of New Millenium” Shkup (2004) si dhe organizator i seminarit për nxënës dhe studentë në Strugë 2004 - 2006.

B. Grubi ka qene anëtar i këshillit artistik të festivalit ndërkombëtar “Vera e Ohrid”(2005-06), nga viti 1992-2004 udhëheqës i violave në Filarmoninë e ish RFJ të Maqedonisë. Qe nga viti 2000 ai ështe gjithashtu udhëheqës i violave pranë Filharmonisë së Kosovës.

B. Grubi ka incizuar dhe promovuar CD e tij të parë me vepra për viole dhe piano në Prishtinë, Tirane dhe Shkup (2006).

Aktualisht B. Grubi është profesor dhe themelues i katedrës te violës që nga viti 1994 në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve, dhe profesor në Universitetin Shtetëror në Tetovë.

Blerim Grubi ka një veprimtari artistike prej mëse 20 vjecare me më shumë se 90 koncerte solistike dhe kamertale të interpretuara në shumë vende.

blerim.grubi@albanian-philharmonic-orchestra.net


As. Prof. SIHANA BADIVUKU-HOXHA
Violiniste, Anëtare e Bordit

Biografia
Sihana Badivuku - Hoxha, një violiniste e shquar kosovare, u lind në vitin 1967 në një familje muzikantësh.  Shkollën e ulët dhe të mesme të muzikës ajo i kryen në Prishtinë, në klasë të profesorëve B. Dimchevski dhe P. Vernikov.  Më pas S. Badivuku – Hoxha studion në Konservatorin Shtetëror të Moskës P.I. Cajkovski, ku kryen edhe studimet pasuniversitare në klasën e prof. E. Chugajeva. (1983 - 1991)

Në vitet 1993/94 S. Badivuku – Hoxha studion si bursiste e GFF - Detmold në Hochshule für Musik Detmold (Gjermani) në klasën e prof. Young Uck Kim.  Në vitin 1994 ajo mbaron kursin e perfeksionimit solistik në Siena (Itali) në Academia Chigiana, në klasën e prof. Uto Ughi.  Gjatë kësaj kohe S. Badivuku – Hoxha merr pjesë si violiniste në garat ndërkombëtare për violinë (Leipzig, Gorizia, Budapest) si dhe në festivale ndërkombëtare: Vera e Ohrit, InterFest, (Manastir) Festivali “Ditët e Muzikës Maqedonase”, Festivali i Muzikës Kontemporane ISCM, Tiranë, “Gubbio-Festival”, Itali, Festivali ”Skena e muzikës së re” Prishtinë, Festivali i muzikës klasike në Varna-Bullgari, Festivali ”Muzina” ne Slloveni, Java e Bach-ut, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Kamertale Prishtinë.

Ndër të tjera S. Badivuku – Hoxha është prezantuar si soliste në hapjen solemne të festivalit “Vera e Ohrit 98“ me Orkestrën Filharmonike të Radiotelevizionit të Vjenës (ORF) si dhe ka bashkëpunuar me pianistët: Teuta Pllana dhe Derek Han (SHBA), Lejla Pula, Misbah Kaçamaku, Zana Badivuku, Lule Elezi dhe Valton Beqiri (Kosovë), B. Rakova (Rusi), Jouni Somero (Finlandë), Marco Grisandi dhe Santi Calabro (Itali), Maja Kastratovich, Maria Vrskova dhe Meri Kafkalleska (ish RFJ e Maqedonisë), Koji Okamoto dhe Noriko Kawai (Japoni), Daniela Dikova (Bullgari).

S. Badivuku ka nje aktivitet të ngjeshur solistik me orketra të ndryshme, ku ka luajtur me dirigjentët: Silviu Pantiru (Rumani), Leclav Salacki (Poloni), Bajar Berisha dhe Bahri Çela (Kosovë), Imre Toplak (Vojvodinë), Lygia O’Riordan (Irlandë), Angel Shurev, Aleksandar Nikollovski dhe Aleksandër Lekaj (ish RFJ e Maqedonisë), Ermir Krantja dhe Jetmir Barbullushi (Shqipëri), Doron Salomon (Izrael), Tadeush Kozllowski (Poloni), Nikollaj Zhlicar (Slloveni), Rafaele Tiseo (Itali), Pavle Deshpalj (Kroaci), Milen Nachev (Bullgari), Vjechislav Prasolov (Novosibirsk.), Fabio Bernoni (Itali) dhe Le Phi-Phi (Vjetnam).

S. Badivuku – Hoxha ka koncertur në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Bullgari, Gjermani, Itali, Rusi, Finlandë, Irlandë, Spanjë, Slloveni dhe SHBA.  Ajo prej vitesh është profesore në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, koncertmjeshtër në Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës, violiniste në Ansamblin “Vivendi” dhe anëtare e “Trio Harkor Kosova”.

Në festivalin “Vera e Ohrit 2003” S. Badivuku – Hoxha prezantohet në ansamblin “Musica Balkanica” se bashku me kolegët B.Grubi, A.Gashi, L.Dobrevska, M.Kastratovich, A.Paco dhe A.Prosi.  Ajo koncertuar në ansamble kamertale me artistët e njohur, si: P. Vernikov, D. Han, M. Barley, D. Mastroyiannis, B. Previsich, L. Pejsahov, P. Meighann, J. Moore.

Prej vitit 2000 S. Badivuku - Hoxha angazhohet si drejtoreshë artistike në bashkëorganizimin e ngjarjeve të ndryshme muzikore dhe artistike në Kosovë si: ”Java e Bach-ut”, Festivali ndërkombëtar i muzikës kamertale “KosovaKamerFest”, Garat e muzikantëve të rinj “ArsKosova”, si dhe ”Koncertet e talenteve të rinj” (SH.A.M.K.,Fondacioni “ArsKosova”).

Nga viti 2000 Sihana Badivuku – Hoxha është anëtare e këshillit të Shoqatës së artistëve muzikorë dhe të baletit në ish RFJ të Maqedonisë, nga 2003 themeluese dhe drejtoreshë e Fondacionit ArsKosova (anetare te EMCY prej 2006), si dhe ka qënë prej 2003 deri në 2005 anëtare e këshillit artistik të Festivalit Ndërkombëtar “Vera e Ohrit” dhe nga viti 2004 anëtare e Fondacionit Shqiptare të Bursave në ish RFJ të Maqedonisë.  Në mars të vitit 2010 ajo rizgjidhet presidente e ESTA, dega Kosovë.

sihana.badivuku-hoxha@albanian-philharmonic-orchestra.net


PJETER GURALUMI
Violoncelist, Anëtar i Bordit

Biografia
Pjetër Guralumi lindi në vitin 1966 në Tiranë, në një familje me tradita në fushën e muzikës. Mësimet e para ne violoncel ai i merr nga babai i tij, Mateo Guralumi.  P. Guralumi ka vazhduar studimet për violoncel pranë Shkollës Artistike "Jordan Misja" me Prof. Gjovalin Lazri (1980-1984) dhe pranë Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti e Arteve) në klasën e Prof. Gjergj Antoniu duke u diplomuar ne vitin 1990 me rezultate maksimale.  Duke filluar nga viti 1997 P. Guralumi kryen specializime në shkollat dhe klasat prestigjoze te violonçelit në Europë si në klasën e Valentin Erben, Universiteti i Muzikes ne Vjene si bursist i programit TEMPUS, klasën e Adalbert Skocic, Konservatorium der Stadt Wien, pranë Accademia “Alessandro Rolla” 1999 në klasën e Enrico Dindos, në Scuola di Alto Perfezionamento Musicale "Fondazione Romano Romanini" Brescia 2000-2001 në klasën e Mario Brunello-s, si dhe sërish në vitin 2005 pranë Accademia Musicale Pescarese në klasën e Enrico Dindos.

P. Guralumi ka një jetë koncertale të pasur si solist dhe në përbërje të ansambleve të muzikës së dhomës duke i dhënë një rëndësi të vecantë jo vetëm repertorit tradicional, por edhe atij bashkëkohor shqiptar e europian.  Si i tillë ai është ekzekutues i premierave të mëse 40 vepra të autorëve shqiptarë apo të mëse 20 autorëve të huaj në skenat shqiptare.  Ai ka fituar Çmimin e Parë në konkursin "Nikolla Zoraqi" në kategorinë Solist në Dhjetor 1994 si dhe ka realizuar ekzekutime të kompozitorëve shqiptarë e të huaj në konkurse të ndryshme duke u dhënë atyre fitoren e çmimeve më të rëndësishme.

Repertori i P. Guralumit përfshin autorë që nga paraklasikët e deri në ato bashkëkohorë.  Ai ka luajtur në skena të rëndësishme të Festivaleve Ndërkombëtare te organizuara në Shqipëri, Itali, Austri, Zvicër, Francë, Greqi, Maqedoni, Kroaci, Kosovë e SHBA.

Prej vitit 2004 P. Guralumi merr pjesë rregullisht në Sezonet Ndërkombëtare të Koncerteve "Allegretto Albania" e "KLASIK." duke bashkëpunuar me artistë të mirënjohur si A. Reiner, A. Ferraro, M. Cattarossi, E. Favata, A. Tinelli, G. Mazzocante, S. Mullaj, M. Palumbo, D. Sulejmani, A. Doçi, T. Vuksic etj.

P. Guralumi ka realizuar disa CD me shtëpine diskografike amerikane LABOR RECORDS dhe DAD RECORDS ne Itali.

P. Guralumi luan në një violonçel Ch. Olivier & P. Bisch të restauruar nga J.Fasnacht në vitin 2002.

Që nga viti 1990 Pjeter Guralumi jep mësim pranë Universitetit të Arteve ne Tiranë dhe qe nga 2010 ai ka edhe klasën e tij të violonçelit në Fakultetin e Arteve të Tetovës, ish RFJ e Maqedonisë.

pjeter.guralumi@albanian-philharmonic-orchestra.net


FATOS LUMANI
Kompozitor, Anëtar i Bordit

Biografia
Fatos Lumani lindi në Strugë ne vitin 1983. Kontaktet e para me muzikën i pati që në moshën 11 vjecare, kur mori edhe mesimet e para në instrumentin e kitarës.  Në periudhën e viteve 1998-2002 u regjistrua dhe e kreu me sukses shkollën e mesme të muzikës ”Ilija Nikolovski Luj”, paralelja e Tetovës.

Më 2002-2003 F. Lumani konkuron dhe fiton konkursin për të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve në Tiranë, Fakulteti i muzikës, specialiteti kompozicion, në klasën e Prof. Thoma Gaqi.  F. Lumani diplomohet në 2006 me veprën sinfonike “Simfonieta” dhe mbi bazë të suksesit që tregoi në katër vitet e studimi ai emërohet si pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë 2006/2007 (asistent në lëndët harmoni, kontrapunkt, teknikë seriale) dhe në 2007/2008 ligjërues i lëndës Teknika Aleatorike.  Po në këtë vit F. Lumani përfundon studimet master duke mbrojtur temën në analizë forme “Kreshendoja artistike te Witold Lutoslawski”.

Në vitin 2009 - 2010 Fatos Lumani zgjidhet Shef i Programit Studimor “Art Muzikor” në Drejtimin e Muzikës pranë fakultetit të Arteve në “Universitetin Shtetëror të Tetovës” ku dhe sot ligjëron lëndët “Harmoni Analitike” dhe “Analizë Forme”.

Gjithashtu vlen të përmendet se Fatos Lumani është anëtar i rregullt i “Lidhjes së Kompozitorëve të ish RFJ Maqedonisë”.  Ai ka marrë si kompozitor disa çmime dhe ka qënë pjesëmarrës në disa festivale, ku ndër to vlen të përmënden: çmimi i dytë në konkursin ”Çesk Zadeja” në Tiranë (2004) me veprën “Temë Variacionale” dhevendi i dytë në konkursin për Himnin e Republikës së Kosovës, që u organizua nga qeveria e Kosovës në Prishtinë (2008), në festivalin ndërkombëtar ”Remusica” në Prishtinë (2003-2011), në ”Ditët e Muzikës Maqedonase” në Shkup (2005-2011), në ”Festivalin e Krijuesve të Rinj” në Tiranë (2005).

Krijimtaria e tij e deritanishme kompozicionale mban brënda saj ndër të tjera edhe veprat e mëposhtme:

Cikël Preludesh, Cikël Vallesh, Temë Variacionale, Suita numer 1, Suita numer 2, Koncert për violinë, Simfonija, Metamorfoza, In memorian D.Es.C.H, Lost Innocence, Simfonieta, Piano Sonata, Trio, Himni per Republikën e Kosoves, Koncert per orkestër

Përveç aktivitetit si kompozitor profesionist i muzikës serioze Fatos Lumani është marrë edhe me aktivitete artistike që i përkasin muzikës argëtuese, ku ka qenë juri ne festivalin Mikrofoni i artë 2004 dhe 2005.  Gjatë viteve 2005-2006 ai edhe ka kompozuar muzikën e filmave Prapa territ dhe Një rreze mbi Sharr, muzikë për teatër, muzikë të lehtë dhe muzikë për femijë.

fatos.lumani@albanian-philharmonic-orchestra.net


BUJAR ALLIU
Dirigjent, Anëtar i Bordit

Biografia
Dirigjenti Bujar Alliu ka mbaruar degën e dirizhimit orkestral në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1996 në klasën e Prof. Rifat Teqja dhe Bujar Llapaj.

Në vitin 1995 ai merr pjesë në kursin performues me dirigjentin e njohur italian Vittorio Parisi në përfundim të së cilit ai dirizhon edhe Orkestrën Sinfonike të RTSH.  Muaj më pas, në fillim të 1996 ai dirizhon një orkestër të përbashkët shqiptaro-gjermane në Akademinë e Arteve në Tiranë me vepra nga Beethoven, Mozart dhe Bach.  Si rezultat i këtij bashkëpunimi me muzikantët gjermane nga Halle (Saale) B. Alliu ftohet të dirizhoje orkestrë sinfonike te Universitetit Martin Luther në Halle (Saale), Gjermani.

Duke filluar nga viti 1997, B. Alliu është pedagog i jashtëm i kontrapunktit në Akademinë e Arteve në Tiranë.  Ai gjithashtu ka punuar si asistent dirigjent kori në TKOB në realizimin e operave "Don Giovani" nga Mozart dhe "Carmen" nga Bizet.

B. Alliu kryen nga viti 2000 deri në 2001 një studim pasuniversitar si bursist i Deutscher Musikrat (Këshilli i muzikës gjermane) në klasën e dirizhimit të Prof. David de Villiers në universitetin e arteve Folkwang në Essen.  Gjatë kësaj periudhe ai pati mundësi të dirizhonte edhe orkestrën sinfonike Bergische Symphoniker.

Pas kthimit në Shqiperi, B. Alliu fillon drejtimin e klasës së orkestrës frymore në Akademinë e Arteve, klasë e cila u rihap nga viti 1985.  Këtë detyrë ai e mbajti deri në vitin 2008.

Në gusht 2002 B. Alliu emërohet drejtor i Shkollës Kombëtare Artistike "Jordan Misja" në Tirane.  Deri në përfundim të mandatit të drejtorit, përvec aktivitetit të ngjeshur administrativ, ai vazhdon aktivitetin artistik si dirigjent duke u angazhuar si në Shqiperi, (me koret dhe orkestrat e ndryshme të SHKA "Jordan Misja") ashtu edhe jashtë saj (Murcia - Spanjë, Bochum, Bonn dhe Bedburg - Gjermani, Budapest - Hungari, Tetovë - ish RFJ e Maqedonisë).

Nën drejtimin e tij, SHKA "Jordan Misja" arriti të realizojë për herë të parë në Shqipëri një marrëveshje bashkëpunimi pedagogjiko - artistik me një shkollë të huaj artistike, përkatësisht me shkollën e muzikës në Bochum, Gjermani.

B. Alliu ka gjithashtu një aktivitet të pasur me orkestrën rinore "Virtuozët e rinj të Tiranës", me të cilën ai ka arritur suksese artistike qoftë brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë.  Ai me punën e tij intensive në drejtim të përhapjes së lojës orkestrale tek të rinjtë, ka arritur të vërë një themel të shëndoshë në punën e mëtejshme profesionale të artistëve të rinj.

Në vitin 2009 B. Alliu dirizhon edhe orkestren sinfonike të RTSH me një program të zgjedhur në kuadër të 200 vjetorit të vdekjes së kompozitorit austriak Joseph Haydn.

Në shkurt 2010 B. Alliu themelon dhe prej asaj kohe drejton edhe Qendrën Kombëtare të Zhvillimit Instrumental dhe Orkestral "MERS@RT"

Bujar Alliu vazhdon aktualisht bashkëpunimin pedagogjik me Akademinë e Arteve si pedagog i lëndes së Dirizhiimit Special, Dirigjent i Panelit të Frymës Nr. 1, si dhe punon si dirigjent i korit të djemve në SHKA „Jordan Misja“ e njëkohësisht edhe si pedagog i ansambleve të muzikës së dhomës.

bujar.alliu@albanian-philharmonic-orchestra.net